Arrin në 5 numri i viktimave të koronavirusit në Itali, boshatisen rrugët

0
569
koronavirus itali

Modena, Venecia, Parma, Milano janë më të boshatisura se kurrë pasi nuk ka pothuajse asnjë qytetar në rrugë nga frika e Koronavirusit që është përhapur në Itali dy ditët e fundit.

Videot e shumta të xhiruara në supermarkete në të gjithë Italinë Veriore tregojnë rreshta të gjata karrocash dhe raftesh krejtësisht të zbrazët, në vijim të më shumë se 200 rasteve të konfirmuara të Koronavirusit.

Gjatë konferencës së përditshme për shtyp, kreu i Mbrojtjes Civile dhe Komisioneri i jashtëzakonshëm i Emergjencave, Angelo Borrelli shpalli viktimën e pestë në Itali.

“219 janë infektuar dhe 5 kanë vdekur, një vdekje është shënuar kohët e fundit në Lombardi, një burrë 88-vjeçar nga Caselle Landi”, tha ai.

Në të gjitha rastet, këta janë njerëz të moshuar me një pamje klinike të përgjithshme të komprometuar më parë. I ndjeri në Bergamo ishte shtruar me ditë në spitalin “Papa Giovanni XXII”.

Borrelli konfirmoi se infeksionet dhe vdekjet gjithmonë i referohen rasteve të identifikuara tashmë.