Thirrja e Tritan Kalos: Covid-19 realitet jetësor, ju lutem si mjek e vëlla të kujdeseni për veten

0
894

Mjeku i njohur infeksionist, Tritan Kalo ka hedhur akuza të rënda ndaj politikanëve dhe njëherazi ka kërkuar bashkëpunim dhe ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, mjeku u ka këkruar qytetarëve të tregojnë kujdes për veten dhe familjarët, pasi politikanët siç thotë ai po shohin interesat e tyre personale.

“Fëmijët kanë humbur nënën apo babanë, të afërmit motrën apo vëllanë, ne kemi humbur kolegët tanë të çmuar. Ju lutem si mjek e vëlla, që kurrë të mos e braktisni për asnjë çast përkujdesin ndaj vetes, si dhe vigjilencën për të mos rënë pre e këtij infeksioni sa tinzar edhe jetëmarrës. Nuk është mëria apo varësia politike ajo që ju lëndon më shumë se vetë sëmundja, ndaj larg të bërit politikë edhe me Sars-Cov2/Covid-19. Politiqenërit tanë të çdo ngjyre e kanë gjetur dhe e gjejnë shumë shpejt gjuhën mes vendit, për pasurimin e tyre në çdo kohë dhe me çdo mjet”,- shkruan Kalo në postimin e tij.

“Sars-Cov2/Covid-19 është një realitet jetësor, imagjinatën e sëmurë për konspiracionin e mosekzistencës së kësaj “flame mbarëbotërore”, lërjani të dashuruarve pas teorive konspirative apo atyre gjithologëve, që janë në kërkim të protagonizmit të munguar. Kurrë mos harroni se janë aty që prej 9 Marsit 2020, në 24 orët e ditës me dhjetëra e dhjetëra motra e vëllezër tuaj mantelbardhë, infermierë, sanitarë, imazheristë, administratorë, farmacistë, barrelistë, shoferë e punonjës të rendit, për të vigjiluar mbi shëndetin tuaj. Mendoni edhe për sakrificat e privimet e tyre të pafund-me. Jo rrallë ne edhe nuk ja kemi dalë mbanë dhe kemi humbur jetë njerëzish, shpirtrat e të cilëve pushofshin në parajsë”,- u shpreh mjeku.