Thyen rregullat e shtetrrethimit, penalizohen dhjetëra qytetarë e biznese

0
612
shtetrrethim, koronavirus

Nga dita ora 13:00 e ditës së shtunë, sot gjatë gjithë ditës deri të hënën në 05:00 të mëngjesit, gjithë vendi është në izolim total. Askush nuk mund të dalë nga shtëpia dhe gjithçka është mbyllur, qoftë edhe supermarketet, farmacitë e çdo biznes tjetër që ofron produkte e shërbime. Të vetmit në punë këtë të dielë, janë forcat e policisë dhe të ushtrisë në terren për të garantuar se askush nuk thyen shtetrrethimin, pjesëtarët e mediave dhe stafi mjekësor që po lufton në vijë të parë çdo moment për jetët e personave të prekur nga COVID-19. Në të gjithë vendin janë gjobitur 78 qytetarë që thyen urdhrin, një u arrestua në Elbasan. Gjobës nuk i kanë shpëtuar as dy biznese që hapën dyert dhe 4 shoferë.

Aktualisht në Shqipëri numërohen 76 persona të infektuar me koronavirus. Prej 9 marsit kur është identifikuar personi i parë me koronavirus në vendin tonë, pacienti zero që tashmë është drejt shërimit dhe mbrëmë rezultoi negativ në testin e kryer sërish, Shqipëria ka 76 të prekur, prej të cilëve 2 viktima. Ndërkohë, nga ora 05:00 e mëngjesit të së hënës do të vihet sërish në fuqi orari i lejimit të qarkullimit të këmbësorëve deri në orën 13:00, që siç tha kryeministri Edi Rama do të vazhdojë gjatë gjithë javës që vjen. Kryeministri Edi Rama i ka quajtur tradhtarë ata që do të shkelin shtetrrethimin të cilët sipas tij do të futen në listën e zezë.