Ulet kurba, regjistrohen vetëm 6 raste të reja me Covid 19

0
728

Është ulur numri i rasteve të konfirmuara me Covid19 në 24 orët e fundit në vendin tonë. Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se janë kryer 102 testime në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, nga të cilat janë konfirmuar 6 raste pozitive (9 më pak se dje), prej të cilëve 4 janë në Tiranë (një personel shëndetësor), 1  në Durrës dhe 1 në Mat.

Bëhet fjalë për kontakte dhe raste të reja për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik.

Aktualisht janë 28 të shtruar në spitalin infektiv. Tre prej tyre janë në terapi intensive, nga të cilët një person është i intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 5 qytetarë, duke e çuar në 877 numrin e të shëruarve.

Aktualisht janë 233 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.